Polemikat te Kosova, Muriqi u përgjigjet tifozëve, presidenti “mban fort” Shalandin”!

Çfarë do të kishte ndodhur nëse ata do të kishin qenë në fushë? Kosovës i munguan lojtarë-kyç në sfidën vendimtare të Ligës së Kombeve ndaj Maqedonisë së Veriut, mes të cilëve Vedat Muriqi, Milot Rashica apo Amir Rrahmani. Aspak gjë e vogël për një ekip përfaqësues me kaq pak përvojë, dhe pas humbjes 1-2 në Shkup, ka akuza dhe përgjigje. Në shënjestër të sulmeve ishte Vedat Muriqi, sulmuesi i Lacios, për të cilin pati kritika nga tifozët, dhe ai u detyrua të jepte një përgjigje.

“Me gjithë zemër doja që ekipi ynë të dilte fitimtar, – shkruajti ai në FB, – kam dashur të isha në fushë, por kjo nuk qe e mundur për shkak të disa rasteve fatkeqe … prej  2 muajsh e gjysmë kam qenë i dëmtuar … kam kryer testin për Kovid 19 dhe doli pozitiv … tek Lacio më thanë se nëse dëmtohesha përsëri do të mungoja 3-4 muaj. Nuk mund të luaja siç duhet dhe për këtë u morëm vesh me trajnerin”.

Menjëherë pas ndeshjes, Muriqi u ofendua rëndë nga Adrian Berisha, këshilltari i kreut të Komunës së Kosovës, madje me fjalë që vështirë se mund të shkruhen. Më pas, Berisha e fshiu postimin e tij. Tifozët akuzuan edhe Milot Rashicën, i cili u bllokua nga Verderi për të mos luajtur në gjysmëfinalen e plej ofit në Shkup. Sulmuesi i Kosovës nuk ka luajtur asnjë minutë në Bundesligë këtë sezon, dhe sipas rregullave të reja të FIFA-s, klubet kanë fjalën e fundit për të lejuar lojtarët në kombëtare apo jo.

Kosova u mund 1-2 në Shkup përballë një Maqedonie të Veriut që kishte në përbërje pesë lojtarë shqiptarë. Pas kësaj ndeshjeje, u vu në dyshim e ardhmja e trajnerit Bernar Shaland, por presidenti i Federatës, Ademi, shprehu publikisht mbështetjen e tij për teknikun zviceran dhe ndihmësit e tij, për të vazhduar në detyrë. Kosova do të luajë këtë të diel ndeshjen e radhës, për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, në fushën e vet ndaj Sllovenisë, ndërsa ka vetëm 1 pikë në dy ndeshje, ndaj 4 të grekëve e të sllovenëve.

Sfidanti.al