Me anësorin algjerian të sulmit, Rijad Mahrez të transferuar te sauditët e Al-Ahli, tashmë “qytetarët” e Mançester Siti kanë filluar të bëjnë kërkimet e para për zëvendësuesin e tij, në krahun e djathtë të sulmit. Në listën e “qytetarëve” janë dy emra, të cilët shihen si talente të mëdha për të ardhmen në krahët e sulmit, e madje kërkohen prej kohësh nga “gjigandët” e Evropës.
I pari në listë është talenti belg i Rene, Zheremi Doku, i cili ka spikatur sezonin e kaluar në Ligue 1, me 7 gola e 4 asistime në 35 përballjet e zhvilluara me francezët dhe që vlerësohet në 28 milionë euro. Në krahun tjetër është dhe anësori francez i Kristal Palas, Majkëll Olize, me këtë të fundit që ka shkëlqyer sezonin e kaluar në Premier Ligë, me 2 gola e 11 asistime në 37 përballjet e zhvilluara, por ndryshe nga Doku vlerësohet në 50 milionë euro, shifër kjo, që konsiderohet e lartë nga Mançester Siti.
sfidanti.al