Mbape zemërthyer edhe pse festoi me 2 gola për Mesin, PSG refuzon Realin!

Ishte momenti që duhej të kishte qenë kulmor. Padyshim që nuk mund të jetë ndryshe kur debuton një legjendë si Lionel Mesi, që hyri në fushë për herë të parë për Paris SG. Ishte minuta e 76-të kur ish-kapiteni i Barcelonës u zëvendësua me Nejmarin dhe bashkë me shtesat ishte në fushë gati 20 minuta. Sidoqoftë, festën më të madhe në emër të Mesit dhe të vetvetes e bëri Kilian Mbape, i cili gjithsesi nuk duhet të jetë aspak i lumtur. Pavarësisht se shënoi dy gola në fitoren 2-0 të PSG-së në fushën e Reimsit në Ligën e Parë franceze, sërish sulmuesit 22-vjeçar i është thyer zemra sepse transferimi i tij për tek Reali sipas të gjitha gjasve nuk do të ndodhë.

Mediat spanjolle njoftojnë se PSG hodhi poshtë ofertën e fundit madrilene, prej 180 milionë eurosh. Nga këto, 170 milionë do të jepeshin në dorë, dhe 10 milionë të tjera do të ishin në bazë të shpërblimeve të ndryshme. Klubi francez i presidentit Al Helaifi mesa duket nuk dëshiron të dorëzohet, dhe pranon më mirë ta humbasë Mbapenë me parametër zero verën e ardhshme, sesa të heqë dorë nga kërkesa për 200 milionë euro. Kur duhen edhe vetëm 2 ditë deri në mbyllje të afatit të transferimeve, duket vështirë që Mbapeja të plotësojë dëshirën dhe që sheikët të gjejnë një zëvendësues. Ndoshta, Reali do ta provojë sërish në janar.

Sfidanti.al