Mbape ia pret shkurt klubit, kërkon takim që të shkojë tek Reali!

Atmosfera në “Parkun e Princave” ishte fantastike. Gjithsesi, përtej entuziazmit të shfrenuar dhe krenarisë për marrjen e më të madhit të epokës sonë, Lionel Mesi, diçka jo e vogël e shqetësonte presidentin e Paris SG, Naser Al Helaifi. Ky shqetësim kishte të bënte me të ardhmen e Kilian Mbapesë, dhe nuk u arrit të shuhej nga prezantimi mbretëror i Mesit, Ramosit, Donarumës, Vajnaldumit e Hakimit. Mbape, i cilësuar ylli më i madh i skuadrës deri në mbërritjen e Mesit, mësohet se i ka kërkuar takim Al Helaifit, siç raportojnë mediat spanjolle. Një lëvizje që pritej, madje që ishte e lajmëruar prej ditësh, dhe që mund të nënkuptojë fillimin e procesit të largimit të kampionit të botës.

Sulmuesi 22-vjeçar dëshiron të luajë për Realin e Madridit në La Liga, dhe nuk është aspak i impresinuar nga superskuadra e krijuar në Paris. Mbape është në pozita të forta sepse ka edhe një vit kontratë, dhe PSG ka dy alternativa, të fitojë tani nga kartoni i tij, ose ta humbasë verën e ardhshme me parametër zero. Presidenti i Realit, Florentino Perez, pasi mori David Alabën nga Bajerni, thuhet se është gati të shpenzojë 120 milionë euro për Mbapenë, ndërsa francezi i ri e di se madrilenët pavarësisht problemeve të momentit mbeten një skuadër e madhe, siç e tregoi që në javën e parë të La Ligës, dhe pretendentë kryesorë për Championsin.

Sfidanti.al