Sikur Barcelona të mos “trazohet” me humbjen në 4 ndeshjet e fundit?

Barcelona, duke mundur 4-2 Deportivo la Korunjan në fushën e kësaj të fundit, siguroi titullin e 25-të në Primera, ndërsa konfirmoi edhe dominimin e saj, gjatë këtij sezoni, në Spanjë, pasi, më parë, kishte fituar edhe Kupën e Mbretit të këtij vendi. Megjithatë, ky sukses duket se nuk është i mjaftueshëm për klubin katalonjas dhe tani ai i ka vënë vetes një objektiv tjetër – ta mbyllë atë pa pësuar asnjë humbje. Deri tani, në fushatën aktuale, Barcelona, tanimë, e ka thyer rekordin e Real Sosiedadit të vitit 1980 lidhur me serinë më të gjatë të ndeshjeve të pahumbura në Primera, ndërsa tani ajo synon që të arrijë një sukses tjetër që, deri më sot, e kanë arritur vetëm shtatë ekipe në pesë ligat më të forta të Evropës.

Kështu, nëse ekipi i Ernesto Valverdes nuk do ta ndjejë shijën e hidhur të humbjes në katër javët e mbetura të Primerës në ndeshjet kundër Realit të Madridit, Vilarealit, Levantes dhe Real Sosiedadit, atëherë, Barcelona do t’u bashkohet shtatë formacioneve legjendarë që gjatë një viti të tërë nuk kanë humbur asnjë ndeshje në kampionatin kombëtar:

Preston (1888-1889), Atletiko e Bilbaos (1929-1930), Reali i Madridit (1931-1932), Peruxha (1978-1979), Milan (1992-1993), Arsenal (2003-2004) dhe Juventus (2011-2012).

Sfidanti.al