Ramosi bën dhurate vetes: I sugjeron Perezit se cilët lojtarë të blejë

Reali i Madridit po zhvillon një nga sezonet e tij më të këqinj gjatë 10 viteve të fundit dhe duket se këtë situatë po e “përtyp” me vështirësi kapiteni i tij, Serhio Ramos. Me një ndeshje më pak, Reali ndodhet në vendin e 4-t të tabelës, shumë pikë mbrapa, kështu që duket se Ramosi synon ta marrë nismën në duart e veta, me synimin që diçka të ndryshojë në klubin “mbretëror”. Media spanjolle njofton se, ditët e fundit, Ramosi është takuar më presidentin e klubit madridas, Florentino Perez, të cilit i ka sugjeruar dy emra që ai do të donte t’i sillte në ekip dhe interesant është fakti se të dy ata janë mbrojtës qëndrorë si vetë ai (Ramos). I pari është Leonard Bonuçi që, këtë verë, kaloi nga Juventusi te Milani, por, tani, sikurse thuhet, ky futbollist 30-vjeçar do që të ikë nga klubi milanez, të përfshirë nga problemet.

Bonuçi është një lojtar që në këmbët e tij ka një përvojë të madhe dhe ai, me të vërtetë, mund të jetë i nevojshëm për Realin, me qëllim që të vendosë stabilitetin në linjën e mbrojtjes, ndërkohë që këtij lojtari nuk do t’i duhet shumë që të përshtatet me ekipin.

Dëshira e dytë e Ramosit ka lidhje, gjithashtu, me Milanin dhe fjala është për Alesio Romanjolin, gjithashtu, stoper, por, sidoqoftë, ky mbrojtës 23-vjeçar do të mund të lulëzojë te Reali dhe të bëhet në të ardhmen një shtyllë e vërtetë e mbrojtjes. Perezi ka blerë lojtarë të tillë, si Naço dhe Valjeho, por askush nga këta të dy nuk e bind kapitenin Ramos.

Sfidanti.al