Ramos ia hedh fajin Realit për largimin, por tifozët nuk e falin

Që do të mbetet një legjendë, kjo nuk ka diskutim, dhe nuk ka si ndodh ndryshe për një lojtar që ka fituar 5 tituj e 4 Champions mes të tjerave. Emri Sergio Ramos është shkruar me germa të arta në “Santiago Bernabeu”, por gjithsesi trashëgimia e tij e shkëlqyer është e njollosur, të paktën siç mendojnë një pjesë e tifozëve të Realit të Madridit. Ata janë habitur që ish-kapiteni i tyre refuzoi të vazhdonte të luante për “merengesit” vetëm sepse iu kërkua që të ulte rrogën 10 për qind, në një periudhë shumë të vështirë të pandemisë.

Vetë Ramosi ia ka hedhur fajin klubit duke thënë se “unë pranova, por ata më thanë se kishte skaduar afati që më kishin dhënë”, pra duke nënkuptuar një ultimatum. Gjithsesi, tifozët në rrjetet sociale i kujtojnë qendërmbrojtësit se kishte deklaruar dikur se do të luante për Realin edhe falas, ndërsa nuk pranoi asnjë ulje rroge.

Sfidanti.al