Rakitiç zbulon : Mesi edhe jashtë fushës është ndryshe nga të tjerët

Ivan Rakitiçi, me lojën e tij të shkëlqyer, i është imponuar në formacionin e parë trajnerit të Barcerlonës, Ernesto Valverde, dhe vendi i tij në të, tani, është i padiskutueshëm, kështu që ky mesfushor kroat është një nga futbollistët që ka minutazhin më të madh në lojë krahas Mesit, Busketsit dhe portierit Ter Shtegen. Rakitiçi ka arritur që, edhe një sezon tjetër, ta fitojë konkurrencën, duke i lënë në plan të dytë mesfushorët e tjerë, kështu që ai është bërë një figurë interesante për median spanjolle. Në një intervistë në “Antenën 3”, në emisionin “El Ormigero”, futbollisti kroat shprehu pikëpamjen e tij sesi është Mesi jashtë fushës:

“Leo është lideri ynë. Loja jonë varet shumë nga ai, ai është një lojtar që nuk ka nevojë të thotë asgjë, pasi ai arrin vetëm me një gjest t’i sqarojë punët dhe me një pasim zgjidh diçka. Ai është mjaft timid në jetën e tij private, pasi e di se e gjithë bota e ka të përqendruar vemendjen tek ai, ndjek çdo lëvizje të tij. Ai është ndryshe edhe jashtë fushës. Leo është një figurë e jashtëzakonshme. Ai është një nga ata që më ka mbështetur mua që ditën e parë, duke më pyetur, nëse kisha ndonjë problem lidhur me vendosjen time në Barcelonë”, vuri në dukje Rakitiçi.

Sfidanti.al