Togfjalëshi “grup armiqësor” ishte sa i tmerrshëm, aq edhe qesharak për mënyrën sesi u përdor në kohën e kaluar. Shprehja mbeti në fjalorin e gjuhës shqipe, dhe sot e kësaj dite përdoret me tallje e shaka. Besohet pjesëtar i një “grupi armiqësor” do të shpallet nga Federata e Futbollit edhe ish-trajneri i Partizanit, Mark Iuliano, pasi ky deklaroi se Superliga shqiptare ishte e “sëmurë” nga bastet.
“Shumë ndeshje sipas meje kanë pasur rezultate të dyshimta, – u shpreh italiani, – ishte një ambient i kushtëzuar ku nuk mund të punoje lehtë, për fat të keq në Shqipëri u lejohej lojtarëve, drejtuesve dhe presidentëve të vinin baste”.
Me siguri akuzat nga “lart” për Markun juventin do të jenë të tipit “një italian antishqiptar”, “nxin realitetin” apo që “do që të justifikojë dështimin e tij”. Ndoshta edhe mund të ironizojnë se ndoshta Iuliano e ka pasur fjalën për Partizanin, pasi aty punoi dhe ambientin e njohu më mirë.
Gjithsesi, kjo pak rëndësi ka për ish-trajnerin e kuq, pasi ai nuk mund të procedohet nga Komisioni “i tmerrshëm” i Etikës. Ky Komision mund t’i bëjë keq vetëm Partizanit, pasi mund të mos i japë titullin e 2016-ës. Sa për bastet, ato nuk ekzistojnë pasi ne jetojmë “në futbollin më të lumtur në botë”. Herë-herë, mund të bëjmë hetime, të ngjashme me skeçin e kohës së socializmit me titull “kontroll i befasishëm”, ku ai që do të bënte kontrollin bërtiste me të madhe se do të shkonte për kontroll.
Sfidanti.al