Përtej sukseseve të Realit, Barcelona ka bërë një mrekulli këtë sezon

Fitorja 2-1 në fushën tepër të vështirë të Betisit tregoi një gjë, që skuadra e trajnerit Ksavi Hernandez ka karakter, cilësi dhe një identitet. Përtej dështimeve për të marrë trofe, eliminimit nga Frankfurti në Ligën e Europës apo më herët “dëbimit” të hershëm nga Championsi, sërish nuk duhet harruar se Barcelona pati një fazë të parë të sezonit me rënie në “greminë”, ndërsa vendi i dytë i tanishëm është baraz me një titull në La Ligë. Ksavi e tha përpara sfidës me Betisin se “nuk duhet të harrojmë se me këtë stil ne fituam 5 Champions dhe u bëmë shembull në botë”. Legjenda “blaugrana” mund t’u tregojë kritikëve periudhën e shkëlqyer që u kurorëzua me fitoren 4-0 në “Santiago Bernabeu” ndaj Realit, ndeshje që sipas vetë mediave madrilene duhej të kishte përfunduar 7-1. Në fushën e Betisit, i rikthyeri Ansu Fati kaloi miqtë në epërsi në 76’, vendasit barazuan pas 3 minutave me katalanasin Mark Bartra, por në minutën e 94-ët Zhordi Alba siguroi fitoren.

Sfidanti.al