Barcelona realizoi një operacion të shkëlqyer sportiv dhe financiar, rinovoi kontratën me Nejmarin. Ylli brazilian mësohet se ka vënë firmën mbi kontratën e re, e cila vlen deri në 2021, dhe ku bie në sy klauzola e shitjes. Në sezonin e parë, ajo do të jetë 200 milionë euro, pastaj do të rritet vazhdimisht në 222 milionë, deri në 250 milionë në pjesën e fundit të kontratës. Presidenti i katalanasve, Zhozep Maria Bartomeu ishte ai që dha lajmin, duke shkruar në Tuiter, “Vazhdojmë të punojmë për të ruajtur shkëlqimin sportiv, jemi të lumtur për rinovimin e Nejmarit”, postoi ai.
Sa do të jetë rroga e sulmuesit? Zyrtarisht nuk jepet asnjë informacion, por më parë mediat spanjolle kanë shkruar se bëhet fjalë për 25 milionë euro, një pagesë vërtetë “monstruoze”, që nëse është e vërtetë, kalon edhe rrogën e Lionel Mesit. Gjithsesi, pritet që pas Nejmarit, të rinovohet edhe kontrata e argjentinasit i cili është kthyer në formën e tij të shkëlqyer pas dëmtimit.
B. Kuka