Mediumet spanjolle bëjnë të ditur se pronarët kinezë që zotërojnë 68,55 për qind të Interit të Milanit, nuk kanë synim që të kursehen lidhur me transferimet e lojtarëve dhe se, qysh këtë verë, do të synojnë që të marrin më të mirin. Jozyrtarisht, thuhet se Interi po përgatit një ofertë, të cilën Lionel Mesi nuk do të mund ta refuzojë, njëlloj si te filmi “Kumbari”, ku personazhi kryesor, pra vetë kumbari, i thotë një tjetri që t’i bëjë dikujt një ofertë, të cilën ai nuk do të mund ta refuzojë!
Futbollisti argjentinas ende nuk e ka vazhduar kontratën me Barcelonën, megjithëse, sikurse thuhet, bisedimet janë në zhvillim e sipër. Kontrata aktuale atij i skadon më 2018. Dëshira e Mesit është që ai të bëhet futbollisti më i paguar në botë, një dëshirë që Interi mund t’ia plotësojë falë pronarëve të pasur kinezë. Legjenda e Barcelonës të gjithë karrierën e tij e ka kaluar tek ekipi katalonjas, me të cilin ai ka arritur që të shkruajë faqe historike të reja në të gjitha kategoritë.
Sfidanti.al