Barcelona ka bilanc të madh me Atletikon, por si ia bën këtë herë?!

Luis Suarez theksoi se ende i dhemb mënyra sesi Ronald Kumani e largoi nga “Kamp Nou” verën e vitit 2020. Sulmuesi uruguajan, një legjendë e Barcelonës, u cilësua i padëshirueshëm nga trajneri holandez, por ai e mori shpejt revanshin duke dalë kampion me Atletikon, e duke lënë katalanasit me gisht në gojë. Sot në orën 21:00, ai do të jetë për herë të parë në “Uanda Metropolitano” si kundërshtar ndaj ish-ekipit me të cilin fitoi gjithçka dhe dëshiron një hakmarrje ndaj Kumanit, që është në prag të shkarkimit. Katalanasit kanë pasur suksese me Atletikon, pasi janë mundur në Madrid vetëm 1 herë që kur trajner ka ardhur Diego Pablo Simeone, ndaj edhe argjentinasi ka respekt. “Barcelona ka një histori të madhe, ka lojtarë shumë të mirë dhe është ekip që sulmon kudo ku luan, – thotë ai, – nuk shoh ndeshje të lehtë”. Gjithsesi, Atletiko i ka lojtarët, mes të cilëve edhe Antuan Grizmanin gjithashtu ish-katalanas, ndërsa Barçës i mungon ylli i ri, Pedri, për shkak dëmtimi.

Sfidanti.al