Kur Juriç e Alegri nxjerrin “xixa” në prag të derbit Torino-Juve!

Do të luhet në orën 18:00 dhe gjysma e vendeve të lejuara në “Stadiumin Olimpik” do të jetë e mbushur. Do të jetë me 13 000 tifozë derbi Torino-Juventus, në një stadium prej 26 000 vendesh, ndërsa dy trajnerët Juriç dhe Alegri kanë nisur luftën psikologjike pa ardhur ora e ndeshjes. “Në këtë qytet, Torino është e vetmja skuadër që arrij të imagjinoj (që të ekzistojë)”, – janë fjalët e trajnerit torinez. Maks Alegri përgjigjet në mënyrë më indirekte duke thënë se “për ata, si gjithmonë, do të jetë ndeshja e jetës”. Në fushë priten dy ekipe me pikë të barabarta, nga 8, dhe me dy sulmues në formë si Brekalo i Torinos dhe Kieza i Juves, si dhe dy filozofi të ndryshme loje, me agresivitetin e Juriçit dhe “esencializmin” e Alegrit. Do të jetë i pari derbi me tifozë që nga koha e nisjes së pandemisë dhe e kufizimeve, ndërsa padyshim do të përkujtohen viktimat e shumta të Torinos, mbi 5 600 të vdekur nga Kovidi dhe gati 205 000 të sëmurë.

Sfidanti.al