Barcelona fiton, por “nuk shëndoshet gjeli se ha për Bajram”!

Kjo ka qenë batuta e trajnerit të njohur shqiptar, Farruk Sejdini, në kohët kur Dinamoja e tij ishte në krizë dhe arrinte ndonjë fitore. Kjo shprehje i përshtatet shumë mirë Barcelonës, të mbetur jetime pa Lionel Mesin, që arriti më në fund një sukses në La Liga. Shifrat ishin 3-0 ndaj Levantes në “Kamp Nou” me golat e shënuar nga Memfis Depai me penallti, Luk De Jong dhe Ansu Fati. Kënaqësi e madhe për rikthimin e Fatiut në ekip që nga dëmtimi, dhe ai e festoi duke tundur rrjetën. Ylli 17-vjeçar pritet të jetë tepër i rëndësishëm për të ardhmen, ndonëse për momentin ai është tepër i ri për të ndryshuar fatet e ekipit. Trajneri Kuman arriti ta fitonte ndeshjen që mund të shënonte shkarkimin e tij, por posti mbetet i kërcënuar dhe Ksavi është “pas dere”. Barcelona ka 12 pikë pas 6 ndeshjeve, ndërsa e sheh veten jo shumë larg Realit të Madridit që ka 17 dhe Atletikos me 14, por që kanë luajtur një ndeshje më shumë.

Sfidanti.al