Për një skuadër të tillë asnjëherë nuk është mirë kur mbetet me duar bosh, qoftë edhe në një konkurrim të dorës së dytë. Barcelonës nuk duhet t’i ketë pëlqyer aspak eleminimi në Kupën e Mbretit në Spanjë, por njëri nga kapitenët e saj, Gerard Pike, doli “ballëhapur” para mediave. “Një humbje e tillë mirëse të vijë, – tha ai, në stadiumin e Bilbaos, – ne luajtëm shumë mirë. Nuk jemi të kënaqur, por ishim lart në fushë, dhe çdo ditë e më shumë po luajmë ashtu siç dëshiron trajneri. Skuadra është mirë moralisht, dhe mendoj që nëse vazhdojmë kështu, kemi shanse të mira në La Liga dhe në Champions”. Këto ishin pak a shumë edhe fjalët e trajnerit Kike Setien, që theksoi se “nuk duhet parë vetëm rezultati, por edhe loja”. Këto kohë, Barcelona ishte kritikuar për lojën e dobët, dhe besohet se kjo ishte arsyeja që u shkarkua ish-trajneri Ernesto Valverde.
Sfidanti.al