Lebron, me një Uestbruk të tillë mund të humbasësh edhe në shtëpi!

Nuk ishte mbrëmja e tij më e mirë, ndonëse aspak nuk mund të thuhet se luajti keq. Lebron Xhejmsi thjesht shënoi më pak pikë se normalisht, por shqetësimi i tij nuk ishte për këtë, por për faktin se Hjustoni e mundi brenda në Los Anxhelos. Skuadra nga Teksasi triumfoi 121-111, duke u shkëputur në gjysmën e dytë të ndeshjes, falë një Rasëll Uestbruku të shkëlqyer.

Ish-ylli i Oklahomës shënoi 41 pikë në “Stejpëlls Sentër”, dhe kaloi kuotën e 20 000 pikëve në karrierë. Nuk janë të shumtë basketbollistët e NBA-së që ia kanë dalë. Uestbruk pati edhe 8 topa në tabela e 5 asistë, por specialiteti i tij i tripëll dabëllit sikur është harruar. Xhejms Hardën ishte më modest se ai, me 14 pikë, 7 topa në tabela e 7 asistë, të cilëve u shtoi 2 vjedhje topi. Ai gaboi shumë në gjuajtjet nga loja.

Lebroni, ndërkaq, pati 18 pikë, por 9 topa në tabela e sidomos 15 asistë. Edhe ai gaboi shumë, sidomos nga distanca për tri pikë. Entoni Dejvis e ndihmoi shumë me 32 pikë e 13 topa në tabela, duke pasur edhe 3 asistë, 3 vjedhje topash e 3 bllokime gjuajtjesh.

Ndërkaq, Miluoki mundi Filadelfian, 112-101, me 36 pikë e 20 topa në tabela të Antetokumbos, dhe diferenca mes dy ekipeve më të mirë të NBA-së u rrit. Miluoki kryeson në Lindje me 44 fitore e 7 humbje, ndërsa Lejkërsat janë në krye të Perëndim, por me 38 fitore e 12 humbje, jo shumë larg Klipersave që kanë 36 fitore e 15 humbje.

Sfidanti.al