Bajerni do jetë me tre “sallaksa” në supersfidën ndaj Lajpcigut?!

Mbrojtja është tema e ditës në Mynih, dhe trajneri Flik ka marrë “veglat e punës” dhe ka nisur procesin e rregullimit. Tre gola u pësuan në Kupë ndaj Hofenhajmit, madje në “Alianc Arena”, ndaj duhet bërë “reformë e thellë”. Gjithsesi, Fliku nuk do ta ketë të lehtë sepse për momentin, në mbrojtje ka 3 lojtarë që luajnë me këmbën e majtë. “Sallaksat” e Bavarisë janë Lukas Hernandez (i kthyer nga dëmtimi), David Alaba dhe Alfonso Dejvis. “Unë nuk kam parë kurrë dy qendërmbrojtës në skuadrën tonë që të luajnë me të majtën, – thotë me sinqeritet Alaba, – por, me cilësinë që ka Bajerni gjithçka mund të ndodhë”. Fliku mendon se kjo gjë mund të shkojë mirë. “Kështu ndodh me këmbëmajtët, duhet ta ndërtosh skemën pak më ndryshe”, – paralajmëroi ai.

Sfidanti.al