Nuk mjaftoi figura e keqe që bëri duke mos marrë dot Erling Halandin, e po ashtu kriza e thellë lidhur me Pol Pogbanë. Mançester Junajtid është një klub vërtet interesant kur vjen puna tek vlerësimi i transferimeve dhe lajmi i fundit nga “Old Trafordi” është që drejtuesve të “djajve të kuq” u duket shumë e madhe shifra prej 111 milionë eurosh që Interi ka vendosur për kartonin e Lautaro Martinezin.
Tani në janar, Solskjeri u detyrua të kënaqej me të panjohurin Odion Igalo, edhe këtë të marrë hua, ndërsa vlerësohet se Lautaro konsiderohet shumë i shtrenjtë. Pritet që Mançester Siti e Reali të bëjnë duel për argjentinasin e ri, që ka shënuar 16 gola në 27 ndeshje këtë sezon, por destinacioni më i mundshëm duket Barcelona. Katalanasit duan të zëvendësojnë Luis Suarezin që po vjetërohet, ndërsa kanë në vëzhgim edhe ish-lojtarin e tyre, Adama Traore të Uolvesit, që e patën në “Kamp Nou” dhe e transferuan tek Aston Vila në 2015.
Sfidanti.al