Jo vetëm Sivori, edhe Shevçenko më i shpejtë se CR7-ta për 50 golat!

Më herët kemi njoftuar atë që ka shkruar media italiane, se Omar Sivori i arriti 50 golat për Juventusin në 65 ndeshje, duke qenë ylli që ia ka dalë më shpejt në futbollin italian. Kristiano Ronaldo u detyrua të mbetej pas tij, por gjithsesi të barazonte legjendarin nga Uellsi, Xhon Çarls me 50 rrjeta në 70 ndeshje. Sidoqoftë, “Deili Meil” raporton se qenka edhe një futbollist tjetër që e ka arritur gjysmën e qindëshes përpara portugezit “kozmik”. Ky është Andrij Shevçenko, “margaritari” nga Ukraina, që luajti për Milanin dhe shënoi 175 gola në 296 ndeshje. Pasardhësi i Oleg Blohinit realizoi 50 gola për Milanin në 69 ndeshje, duke ia dalë fiks në 21 janar 2001, me një dygolësh në fitoren 3-2 ndaj Romës. Braziliani Ronaldo (Fenomeni) i ndjek me 50 goditje në 77 ndeshje, Van Basten ishte me 50 në 83 ndeshje, ndërsa Mishel Platini me 50 në 84.

Sfidanti.al