Festa e Nejmarit duket se vulosi fatin e trajnerit Tuhel!

Ishte një përgjigje dhënë për të përditshmen “Lë Parizien” që tregoi gjithë pafuqinë, por edhe një lloj mungese intuite nga ana e trajnerit të Paris SG. Shumë shpejt pas konfliktit të hapur me Kilian Mbapenë, Tomas Tuhel u përball me festën e ditëlindjes së Nejmarit, ku ishte ftuar thuajse e gjithë skuadra kampione e Francës. Të veshur me të bardha, yjet e ekipit, plus të dashurat dhe gratë, bënë foto ekstravagante, a thua se ishin punonjës të ndonjë kompanie që merrej me modën apo fotografinë artistike.

Tuhej u ngacmua nëse pjesëmarrja në festë prish punë për ndeshjet? “Padyshim që prish punë, – ishin fjalët e trajnerit gjerman, – por, ç’mund të bëja unë?” Më pas, u pyet nëse mund të kishte marrë ndonjë masë, apo të kishte lënë në stol lojtarët që ishin në festë, dhe Tuheli tha kështu: “Nëse do ta bëja këtë, nuk do të kisha lojtarë për t’i nxjerrë në fushë”. Një dorëzim i vërtetë, por në radhë të parë i klubit të PSG-së. Nëse një gjë duhet ndaluar dhe trajneri ka argumenta, klubi vendos dhe të gjithë binden. Për më tepër, Nejmar deklaroi se ishte i dëmtuar përpara ndeshjes ndaj Nantës, dhe kjo ndodhi pikërisht para ditëlindjes!

Sfidanti.al