Kristiano Ronaldo është i bindur se ai është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, por konfirmim të këtij pretendimi ai nuk ka as nga tifozët e Realit të Madridit. Gazeta e njohur spanjolle, “AS”, bëri, këto ditë, një anketë me një pyetje se cili është futbollisti më i mirë i Realit të Madridit në të gjithë historinë këtij klubi të madh dhe rezultatet e saj treguan se ai nuk është Kristiano Ronaldo. Sikurse duket, kjo gazetë synonte “të tatonte pulsin” pas deklaratës së Ronaldos, mbas fitimit të “Topit të artë”, se ai është futbollisti më i mirë në të gjithë historinë e futbollit, duke ngritur, kështu, një zhurmë të madhe dhe duke provokuar mjaft reagime, shumica negative.
Lexuesve të gazetës iu ofruan vetëm dy opsione: Alfredo Di Stefano dhe Kristiano Ronaldo. Lexuesit reaguan në një numër të madh, më shumë se 20 000 veta, dhe Di Stefano doli i pari me një shumicë të madhe epërsie. Për Ronaldon votuan 38,38 për qind ose 7866 veta, ndërsa për Di Stefanon – 61,62 për qind ose 12 628 veta.
Sfidanti.al