Futbollisti brazilian Nejmar, gjatë verës së kaluar, sikurse dihet, bëri një kalim sensacional te PSZH-ja franceze që pagoi për të 222 milionë euro marramëndëse, por, pa kaluar as gjashtë muaj, mediume sportive të ndryshme kanë filluar të publikojnë lajme që e lidhin emrin e tij me Realin e Madridit. Sipas tyre, PSZH-ja është vetëm një “stacion” i përkohshëm qëndrimi i Nejmarit dhe se destinacioni i tij është Reali i Madridit.
Një nga “të dashuruarit” më të mëdhenj pas lojës së futbollistit brazilian që po ngul më shumë këmbë për sjelljen e tij në “Santiago Bernabe”, është presidenti i Realit, Florentino Perez, që, gjatë këtyre ditëve, i dërgoi Nejmarit një mesazh të drejtpërdrejtë, menjëherë mbas fitimit të “Topit të artë” nga Kristiano Ronaldo.
“Nëse do të vijë te Reali, ai do ta ketë më të lehtë që ta realizojë dëshirën e tij të madhe, të fitojë ‘Topin e artë’. Reali është një klub që mund t’i japë gjithçka që do një futbollist i madh. Nuk ka se përse ta fsheh, sepse e gjithë bota e di se unë e dëshiroj atë (Nejmarin) në ekipin tonë”, tha presidenti i Realit.