Strategu italian, Klaudio Ranieri, që, gjatë këtij sezoni, u shkarkua si trajner i Lester Sitit, megjithëse, vitin e kaluar, i solli këtij ekipi anglez titullin e kampionit të Premier Ligës, ka filluar bisedimet me klubin rus të Zenitit të San Peterburgut. Trajneri aktual i tij, rumuni Mirçea Lucesku, ka shumë mundësi, që të largohet nga ky klub në fund të këtij sezoni, duke pasur parasysh se pritet që Zeniti të dështojë në përpjekjet për të fituar titullin e kampionit të Rusisë që është edhe objektivi kryesor i këtij klubi.
Për këtë arsye, kryesia e këtij klubi ka filluar kërkimet e një trajneri të ri dhe një nga opsionet e parë, sikurse thuhet, është trajneri italian, Klaudio Ranieri, që ka patur një rezultat të shkëlqyer me Lester Sitin, të cilin e nxori vjet kampion të Anglisë dhe, kështu, që ai është atraktiv për një numër klubesh të mëdhenj të Evropës. Zeniti, momentalisht, ndodhet në vendin e 3-të, në kampionatin rus, me 39 pikë, aq sa ka edhe CSKA-ja e Moskës, ndërkohë që tabelën e kryeson Spartaku i Moskës me gjashtë pikë më shumë.
sfidanti.al