Kasano, sherr me tifozët e Romës për Françesko Totin!

Kanë qenë dikur shokë skuadre në kryeqytet, siç e tregon fotoja që shoqëron këtë shkrim. Antonio Kasano dhe Françesko Toti ishin me fanelën e Romës në një periudhë të caktuar, por sot ish-futbollisti puljez ka disa fjalë jo shumë të mira për ish-kapitenin e tij, që e kanë futur në sherr me tifozët verdhekuq. Kasano i bëri deklaratat pasi ultrasit e Romës vërshëllyen trajnerin e Napolit, Luçiano Spaleti, ish-trajner i romanëve, duke i kujtuar faktin se detyroi Totin të linte futbollin. “Vërshëllimat ishin turp, – tha Kasano, – ishin ndaj një trajneri që e ka dashur Romën dhe ka bërë gjëra të shkëlqyera. Erdhi koha që Toti nuk ishte në maksimum, duhej të largohej. Në fund të fundit, nuk është i përjetshëm si Maradona apo Mesi. Pas 20 vitesh do të harrohet”. Reagimi i tifozëve të Romës ishte i ashpër dhe ata i kujtuarn Kasanos se “ti je harruar që tani”.

Sfidanti.al