Joakim Lëvi “i zhgënjyer dhe i mërzitur” nga Gjermania e tij!

Nuk dihet nëse do të arrijë ta ndezë edhe një herë “flakën” e dikurshme. Joakim Lëv është trajner i Gjermanisë që nga 2006-ta, dhe duket se vitet kanë bërë të vetën. Kështu mund të mendosh nëse sheh paraqitjet e fundit të kombëtares gjermane, të paktën që pas Euro 2016-ës, dhe barazimi 3-3 me Turqinë ishte një tjetër provë. “Teutonët” u duken shumë dobët në mbrojtje, ndonëse janë mirë në sulm, dhe largimi i Humelsit e Boatengut besohet se u ka prishur shumë punë.

“Jam i zhgënjyer dhe i mërzitur, – tha Lëvi pas ndeshjes, – ka disa arsye për këtë. Së pari, ne shpërdorojmë shumë raste, dhe kur ishim 2-1 duhej të kishim fituar thellë. Së dyti, duhet të dimë të përballojmë presionin, jo të humbasim topin. Ka kohë që i kemi këto probleme, por besoj se do të jemi më mirë në Ligën e Kombeve”.

Gjermania kaloi tri herë në epërsi me golat e shënuar nga Draksler, Nojhauz dhe Valdshmit, por Turqia nuk u dorëzua dhe barazoi të tria herët. Ozan Tufan, Efexhan Karaxha dhe Kenan Karaman ishin autorët. Çudia tjetër ishte që gjermanët pësuan gol në minutën e katërt shtesë, ndërsa tradicionalisht kanë qenë ata që kanë fituar ndeshjet pikërisht në fund.

Sfidanti.al