Gjyqtari që nxori jashtë Zidanen: As unë dhe as ndihmësi im nuk e pamë incidentin, por…

Gjyqtari argjentinas, Nestor Pitana, të dielën e kaluar, pati nderin që të gjykonte finalen e madhe të Kupës së 21-të të Botës në Moskë mes Francës e Kroacisë dhe, megjithëse, ai u gjend përballë një presioni të madh nga ana e opinionit publik, duhet të pranohet se detyra e tij ishte më e lehtë sesa ajo e bashkatdhetarit të tij që “vendosi drejtësinë” në finalen e madhe të Botërorit para 12 vitesh (2006).

Të gjithë ne e mbajmë mend mirë se finalja mes Francës dhe Italisë u karakterizua nga incidenti i famshëm, gjatë të cilit Zinedin Zidane goditi më kokë në gjoks Marko Materacin që ra në tokë, një situatë, mbas së cilës gjyqtari Orasio Elizondo, mbas njëfarë kohe, i tregoi futbollistit francez kartonin e kuq.

12 vite mbas këtij momenti të paharruar, Elizondo vendosi që të tregoi të vërtetën për atë moment të diskutueshëm, duke zbuluar se as ai dhe as ndihmësit e tij nuk e kishin parë atë që kishte ndodhur në fushë.

“Në një moment, shoh Materacin të shtrirë mbi bar, rreth 30-40 metra larg nga porta. Thashë më vete: ‘Bo, bo, çfarë ka ndodhur’. Menjëhërë, përmes radiolidhjes, pyes ndihmësin tim: “Dario, çfarë ka ndodhur?’ Ai u përgjigj i habitur: ‘Orasio, nuk kam parë asgjë’. Dhe, kur unë i thashë atij se tani nuk di sesi të veproj, u shfaq ‘ëngjëlli mbrojtës’ i imi, emri i të cilit është Luis Medina Kantaljeho që ishte gjyqtari i katërt në atë ndeshje. ‘Orasio, Orasio, unë e pashë se çfarë ndodhi. Zidane e goditi me forcë me kokë Materacin”, tregoi Elizondo.

Sfidanti.al