Betisi arriti një fitore të madhe në “San Siro” ndaj Milanit në Ligën e Europës, por trajneri i tij, Kike Setien, u detyrua të kërkonte falje pas ndeshjes. Ai nuk u ndje mirë pasi lojtarët e tij deshën të fitonin kohë, duke vonuar lojën, ndërsa Milani kërkonte golin e barazimit.
“Nëse ne krijuam përshtypjen se po shpërdoronim kohën në 15 minutat e fundit, atëherë unë duhet të flas me lojtarët e mi, – tha Setieni, – kjo pasi unë nuk e pëlqej një mënyrë të tillë loje. Kërkoj falje nëse kemi krijuar këtë përshtypje”.
Gjithsesi, Setien, theksoi se suksesi në “San Siro” ishte i rëndësishëm për moralin, për pikët në grup, por edhe për prestigjin e klubit. Betisi u bë i pesti ekip spanjoll që fiton në fushën e Milanit, diçka që më herët e ka bërë tri herë Barcelona, po ashtu nga një herë Deportivo, Selta dhe Atletiko e Madridit. Edhe Espanjoli fitoi 2-1 në Itali në 1987 ndaj Milanit, në Kupën UEFA, por ndeshja u luajt në Leçe, jo në Milano.
Sfidanti.al