Bejli një zjarr i shuar, Murinjo thyen rekordin e ndërrimeve në E. Ligë!

Ekip i çuditshëm ky Totenhemi. Pikërisht atëherë kur mendon se po ngre kokë dhe po lufton për tituj, të zhgënjen dhe humbet atje ku normalisht duhet të fitojë. Kjo ndodhi në Ligën e Europës, kur skuadra e Zhoze Murinjos u rrëzua 0-1 në fushën e Antverpit në Belgjikë. E vërtetë që portugezi la në stol shumicën e yjeve kryesorë (që i hodhi në fushë pas pushimit), por po aq e vërtetë që kjo skuadër ka potencial për të mundur 6-1 Mançester Junajtidin në “Old Traford”.

Murinjo theu rekordin personal dhe atë të kupës duke bërë për herë të parë në Ligën e Europës 4 zëvendësime brenda një minute, në të 46-ën. Lukas Moura, Hojberg, Son dhe Lamela hynë në fushë me fillimin e pjesës së dytë, në vend të Oriesë, Lo Selsos, Dele Alit dhe Bergvejnit. Në 58’, trajneri i “gjelave” largoi nga fusha edhe Garet Bejlin që u duk si një “zjarr i shuar” për të aktivizuar zv. kapitenin Harri Kejn. Asgjë nuk ndryshoi dhe Totenhemi tregoi se do të duhet ende shumë punë që të jetë një skuadër stabël dhe e parashikueshme.

Sfidanti.al