Cili është pengu i madh i Sër Aleks Fergusonit? Pol Gaskoini!

Ishte një periudhë në fund të viteve 80-të dhe në nisje të viteve 90-të kur mesfushori gjenial anglez ishte një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror. Një talent i madh, që e pëlqente edhe vetë Maradona, një njeri i guximshëm, plot humor e dinakëri, me shpejtësi, vizion loje, përgatitje fizike dhe atletike të shkëlqyer, Pol Gaskoini ishte i destinuar për të hapur një epokë ashtu si dikur Bobi Çarltoni. Sër Aleks Fergusoni deshi që Gaskoini, ashtu si Sër Bobi, të kishte një karrierë tek Mançester Junajtidi, por kjo nuk ndodhi.

Sot, pas gati 30 vjetësh, ish-trajneri legjendar i “Old Trafordit” zbulohet se deshi ta merrte yllin e kombëtares së Anglisë, por kjo nuk ndodhi. “Shikoni, gjithmonë nëpër gazeta dalin emra sikur ne i kemi dashur, është folur edhe për Uesli Snejderin, – tha skocezi, – por, i vetmi për të cilin unë duhet ta pranoj, ka qenë Pol Gaskoini, me të vërtetë një lojtar fantastik. Mendoj se nëse do ta kishim marrë, ai do të kishte pasur një karrierë të madhe tek Mançester Junajtidi, padyshim. Ne kemi pasur lojtarë të tillë nga Njukasëlli në ekip si Brajan Robsoni, Stiv Brus apo Bobi Çarltoni. Sër Bobi do të kishte qenë një këshilltar i madh për të. Ai shkoi tek Totenhemi sepse ata i blenë nënës së tij një shtëpi për 80 000 paundë stërlina. Nuk doja ta besoja”.

Sfidanti.al