PSG mund Lajpcigun, Nejmarin e mori tani dhuratën e Krishtlindjeve!

Trajneri Tuhel kërkoi një paraqitje të madhe dhe gola nga Kilian Mbapeja, por shpëtimi këtë herë mbërriti nga këmbët e Nejmarit. Padyshim, edhe nga ato të Angel Di Marisë, që fitoi penalltinë e kthyer në gol nga braziliani. Ishte një moment për “jetë a vdekje” për Paris SG, sepse nëse nuk fitonte ndaj Lajpcigut në fushën e tij, me shumë gjasë do të eleminohej nga Championsi. Një skuadër nënkampione e Europës që të ikte kaq shpejt, do të kishte qenë një turp i madh. PSG u kap me thonj pas Ligës së Kampionëve dhe arriti një fitore “të vogël”, falë 11-metërshit të Nejmarit në minutën e 11-të.

Gjithsesi, mediat gjermane kritikuan gjyqtarin që dha penalltinë për rrëzimin e Di Marisë. “Krishtlindjet duan edhe 5 javë që të vijnë, – shkruan “Bildi”, – por Nejmari e mori dhuratën e tij. Rrëzimi i Di Marisë erdhi menjëherë pasi hyri në zonën e rreptësisë dhe kontakti me Zabicerin (Sabitzer) erdhi vetëm në rrëzim e sipër”. Drejtues të Lajpcigut thanë se fajet kryesore në raste të tilla nuk i ka gjyqtari port teknologjia VAR që duhet të ndërhyjë. PSG nuk bëri ndonjë gjë të madhe, vetëm qendroi në gjysmëfushën e vet. Gjermanët e mbajtën më shumë topin (60 për qind), fituan më shumë dyluftime dhe vrapuan 5.2 km më shumë, por krijuan vetëm një rast të pastër gjatë gjithë ndeshjes.

Sfidanti.al