Pike nuk e harron vullkanin dhe humbjen me Interin në 2010!

Kanë kaluar 11 vjet, por e kaluara nuk fshihet lehtë, as kur fiton dhe as kur humbet. Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pike, kujton gjysmëfinalen e Championsit ndaj Interit 11 vjet më parë, të humbur në sezonin që Murinjo fitoi “tripletën”, por nuk mund ta kujtojë pa bërë akuza. “Finalja atë vit luhej në “Bernabeu” dhe kisha përgatitur diçka, por nuk u kualifikuam, – thotë Pikeja, – ne shkuam në Milano me autobus për shkak të vullkanit që shpërtheu. Ajo gjysmëfinale ishte skandaloze, një vjedhje skandaloze”. Barça shkoi vërtet nga Katalonja në Milano me autobus, përmes Francës, për shkak të një vullkani që kishte shpërthyer në Islandë dhe që kishte bërë të anuloheshin e të shtyheshin fluturimet ajrore. Padyshim lodhja ndikoi dhe Interi i Murinjos fitoi 3-1 në “San Siro”, ndërsa në “Kamp Nou” katalanasit fituan minimalisht 1-0 duke u eleminuar. Më pas, Interi fitoi Championsin në finalen ndaj Bajernit, me shifrat 2-0.

Sfidanti.al