Ku mund të shkojë tjetër një Haland që “vdes” për himnin e Championsit?!

Është shumë i ri, vetëm 20 vjeç, por gjithsesi i duket vetja i madh ndaj edhe nuk ka durim. Erling Halandi dëshiron të luajë në Champions çdo sezon, por edhe dëshiron të garojë për ta fituar trofeun, jo thjesht për të shënuar emrin dhe golat. Me Dortmundin vështirë se mund t’ia dalë, ndërsa kjo mund të ndodhë me të tillë si Mançester Junajtid, Mançester Siti, Çelsi, Paris SG, Real Madrid kushedi edhe Barcelona.

Ata që i rrinë pranë dhe e njohin mirë, thonë se sulmuesi norvegjez, me një gol çdo 56 minuta në fushë, është kaq shumë i fiksuar pas Ligës së Kampionëve, saqë vendos muzikën e himnit të saj ndërsa i jep makinës. Së fundmi, tabloidi britanik “San” (The Sun) shkruan se është e përfunduar që Halandi ka rënë dakord me Çelsin, dhe se Blutë e Londrës janë gati të paguajnë 170 milionë paundë stërlina për të. Abramoviç duket i bindur, ndërsa trajneri Tuhel mund të jetë “kyç”, ndonëse gjëja kryesore është që Çelsi është kampion i Europës në fuqi, ndërsa Tuheli ka arritur dy sezone radhazi finalen.

Sfidanti.al