“Krisma nuk ka pasur”, Bajerni del 100 për qind negativ për virusin!

Lehtësim i madh në Gjermani, edhe pse jo i plotë. Kampionia e vendit, skuadra e Bajernit të Mynihut, doli plotësisht negative në testet për koronavirusin, dhe ky rezultat ishte një shtysë e madhe për të vazhduar me programin stërvitor, dhe për të pasur shpresë që të luhet Bundesliga. Pas lajmeve të këqija javën e shkuar, me 3 pjesëtarë të Këlnit pozitivë (dy lojtarë), përgjigjet e testeve nga Bajerni janë “melhem mbi plagë”.

Priten përgjigje të tjera të testeve, sepse siç shkruan “Bildi”, të gjitha skuadrat i bënë të premten, dhe shpresa është që gjithçka të jetë në rregull. Gjithsesi, tortura e testeve do të vazhdojë, pasi një lojtar që sot nuk është i sëmurë, mund të jetë i tillë, të themi, pas një jave. Ndoshta, futbolli gjerman do të duhet të mësohet me këtë ritëm. Ekipet janë kthyer në stërvitje kolektive (me masa sigurie) që nga e premtja, ndërsa në stërvitje më të kufizuar ata kanë javë që ushtrohen.

Sfidanti.al