Uli Hënes pritet të marrë sërish postin e presidentit të gjigantit gjerman, Bajern Mynih. Në vitin 2014, Hënes ishte detyruar që të jepte dorëheqje nga ky post, pasi u dënua me burg për evazion fiskal nga një gjykatë gjermane. Pas daljes nga burgu, ai pritet të emërohet sërish në krye të klubit bavarez, me zgjedhjet e reja që do të mbahen këtë të premte.
“Kam përkrahjen e familjes që të nis sërish punën si president, pasi nuk dua të dal në pension që në moshën 64 vjeçare” ka thënë ai për gazetën Kicker. “Pas këtij mandati do të jem 67-vjeç dhe atëherë do të mendoj për të ardhmen. Shumë njerëz brenda klubit më kanë thënë, që janë të lumtur me rikthimin tim në klub”.