Duan ta verbojnë dhe ta bëjnë për vete. Lionel Mesi ka marrë, mesa duket, ofertën e çmendur të radhës. Një klub europian misterioz është gati të bëjë gjëra që janë jashtë mendjes, vetëm që argjentinasi të veshë fanelën e tij. Mediat spanjolle shkruajnë se ky klub i jep Mesit 100 milionë euro mjaft që ky të mos rinovojë me Barcelonën. Njëqind milionë euro i premtohen në vit!
Plani është që numri 10 të luajë në “Kamp Nou” deri në përfundim të kontratës aktuale në 2018, dhe pastaj të largohet me kosto zero. Në këtë mënyrë ky klub do të kursente paratë për të blerë kartonin, që do t’i kthente në rrogë. Gjithsesi, gazeta katalanase “Sport” sikur ia heq misteriozitetin çështjes “Mesi” dhe shkruan se bëhet fjalë për Mançester Junajtidin dhe për Zhoze Murinjon, që mbështeten në këtë operacion nga kompania gjigande gjermane, Adidas.
A do të kandiset Leo të braktisë klubin realisht të vetëm të jetës së tij, atë që u kujdes për të duke e kthyer nga një fëmijë i sëmurë, në futbollistin më të madh në botë? Fakti që ai nuk po rinovon tregon se mundësia ekziston, ndërsa tundimi duhet të jetë i madh jo për të shkuar tek Junajtidi dhe Murinjo, por tek Siti i Guardiolës. Gjithsesi, mediat nga Katalonja shkruajnë se Mesi e ka hedhur poshtë ofertën e 100 milionëve rrogë në vit.