Dy gola në minutat e fundit dhe nga lojtarë që ishin lënë në stol. E tillë fitorja e Kukësit në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka kaloi një provë shumë të vështirë ndaj Teutës duke mbajtur vendin e parë në Superligë, me golaverazh më të mirë se Skënderbeu. Nuk ishte e lehtë të merreshin 3 pikët për kuksianët, madje u duk se ata po e humbisnin ndeshjen e javës së 11-të. Teuta kaloi e para në epërsi, 23 sekonda pasi nisi pjesa e dytë, kur topin e dërgoi në rrjetë Faizal Bangal, dhe u mbrojt fort në minutat e mëpastajme.
Gjoka ndërhyri duke hedhur në fushë sulmuesin Lukas Ranger në minutën e 74-ët, dhe vetëm 5 minuta më vonë braziliani ia shpërbleu besimin duke barazuar rezultatin. Krosim nga goditja e dënimit, portieri Moçka gaboi në dalje, dhe Rangel e dërgoi topin me kokë në rrjetë. Trajneri u tregua vendimtar sërish më vonë. Në minutën e 84-ët nxorri nga loja Edon Hasanin dhe aktivizoi kosovarin Kushtrim Lushtaku, i cili nuk kishte më shumë se një minutë në fushë kur sigloi fitoren me një të djathtë të shpejtë. Kukësi ka tani 23 pikë pas 11 ndeshjesh të Superligës, po aq sa Skënderbeu dhe tri pikë më shumë sesa Partizani e Tirana, ndërsa javën që vjen luajnë Kukësi me Tiranën dhe Partizani me Teutën.