Dortmundi heq Halandin nga vitrina dhe nxjerr Sançon për 120 milionë

Dritat e skenës janë të përqëndruara të gjitha tek sulmuesi norvegjez, pas turit të babait dhe agjentit të tij në Europë për t’i gjetur ekipin e ri. Gjithsesi, Borusia e Dortmundit vazhdon të theksojë se ka plane të tjera dhe se Erling Halandi duhet të mbetet në ekip edhe pas kësaj vere, pavarësisht se ofertat mund të jenë mbi 150 milionë euro. Shefi ekzekutiv, Hans-Joakim Vacke, deklaron madje se strategjia është e ndryshme, dhe se prioritet mund t’i jepet transferimit të yllit tjetër, Xhejdën Sanço. Anglezi 21-vjeçar u kërkua sezonin e kaluar nga Mançester Junajtid, por gjermanët nuk pranuan të ulnin pretendimet, madje as që të bisedonin. Tani, duket se do të ishin dakord për një “ofertë të jashtëzakonshme”, prej rreth 120 milionë eurosh. Sanço ka edhe vetëm 2 vjet kontratë në “Signal Iduna Park” ndaj Borusia do të duhet të nxitojë. “Nuk dua të hyjë në spekullime për probabilitete, – tha Vacke, – nuk do të ishte mirë. Sanço ka shumë më tepër kohë me ne sesa Halandi, por duhet të flasim më parë me lojtarin”.

Sfidanti.al