Çfarë halli për Kovaçin, edhe Rumenige hyn “mik” për Mylerin!

Si mundet që t’ia bëjë trajneri me një problem kaq të madh si ai tek Bajerni. Ardhja e Filip Kutinjos në Mynih solli rritje të cilësisë dhe të konkurrencës, por uli në stol Tomas Mylerin. Edhe pse, jo një lojtar i shkëlqyer, Myleri është futbollisti tipik gjerman, besnik i klubit, njeri i sakrificës, i adhuruar nga tifozët dhe i respektuar nga drejtuesit. Nuk është, pra, e lehtë të mbahet në stol një emër i tillë. Kovaç, nga ana tjetër, ka detyrë të hedhë në fushë lojtarët më në formë, ata që garantojnë më shumë dhe duket se Kutinjo ka avantazh ndaj Mylerit.

Gjithsesi, presioni është i madh, qoftë nga mediat apo edhe nga vetë futbollisti, ndërsa në skenë ka dalë edhe një njeri shumë i fuqishëm si shefi ekzekutiv i klubit, Karl-Hajnc Rumenige. Legjenda bavareze paralajmëroi Kovaçin se Myleri nuk është një emër dosido. “Tomasi është një lojtar i rëndësishëm për historinë, talentin dhe etikën e tij të punës, – u shpreh Rumenige,- ai nuk na është ankuar për stolin, sepse do të kishte trokitur në derë të gabuar. Përgjegjës për ekipin është trajneri, por unë nuk mendoj se Tomasi është thjesht një lojtar rezervë, një zgjedhje emergjente. Gjithsesi, nuk besoj se ai do të largohet nga Bajerni”.

Sfidanti.al