Bajerni sulmon Joakim Lëvin për fatin e Tomas Mylerit!

Prej gati 2 vjetësh është jashtë kombëtares, bashkë me Zherom Boatengun dhe Mats Humelsin. Tomas Myleri është gjithsesi një “temë” në Gjermani, dhe vazhdojnë përplasjet për faktin se ai nuk është në ekip. Ndoshta mund të ketë një ndryshim nga Lëv, që u konfirmua në detyrë edhe pas humbjes 0-6 në Spanjë për Ligën e Kombeve. Përsa i përket Mylerit, Boatengut dhe Humelsit, të përjashtuar në mars 2019, drejtori i kombëtares, Oliver Birhof tha se “dera për ta nuk mund të quhet plotësisht e mbyllur, nuk ka kokëfortësi ndaj tyre, dhe trajneri do të bëjë analizën e tij”.

Gjithsesi, nga Bajerni nuk munguan kritikat. “Ne nuk veprojmë kështu tek Bajerni, – tha shefi ekzekutiv i klubit, Rumenige, – ndershmërisht, në Federatë ndihet më shumë Birhofi sesa Lëvi. Tek Bajerni, kur rezultatet nuk ecin del në konferencë trajneri dhe jo drejtori sportiv. Nuk shoh ndonjë specialist futbolli ndër drejtuesit e Federatës, Joakim Lëvi duhet të jetë më i guximshëm”.

E përditshmja “Bild” hap një bisedë me tifozët gjermanë, me temën:  “Trajneri i kombëtares nën presion! Çfarë pyetjeje do t’i bënit sot Lëvit!” Pavarësisht konfirmimit në detyrë, bundestrajneri nuk mund të thuhet se është i qetë, ndërsa opinioni publik është kundër tij. Tomas Myler, ndërkaq, ka luajtur 100 ndeshje për Gjermaninë në vitet 2010-2018, duke shënuar 38 gola e duke dalë kampion i botës në 2014, ndërsa ardhja e trajnerit Flik tek Bajerni e ka rikthyer në formë.

Sfidanti.al