Presidenti i Euroligës, Zhordi Bertomeu, në një intervistë në “Corriera dela Sera”, e kritikoi fort federatën ndërkombëtare të basketbollit, FIBA, se e ka bërë kalendarin e ndeshjeve kualifikuese për në kampionatin botëror, pa u konsultuar, paraprakisht, me klubet. “FIBA ka injoruar jo vetëm klubet, por edhe NBA-në. Në SHBA, luajnë 108 pjesëtarë të përfaqësueseve të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk do të mund të luajë në ndeshjet kualifikuese! Kjo është e papranueshme. Ndeshjet pa këta basketbollistë nuk mund të jenë njësoj, sikurse do të ishin me pjesëmarrjen e tyre. Është njëlloj sikur Portugalia të luajë pa Kristiano Ronaldon dhe Argjentina pa Lionel Mesin! Kjo ndodh vetëm në basketboll. Përfaqësueset do të luajnë pa basketbollitët e tyre më të mirë.
Lufta mes FIBA-s dhe Euroligës zhvillohet rreth “dritareve”, pra, termineve kohore të ndeshjeve kualifikuese që nuk u lejnë kohë të mjaftueshme basketbollistëve që të pushojnë dhe të marrin veten.