Arian Ademi po luan më mirë, qëkur është kthyer në fushë mbas pezullimit dyvjeçar të tij nga ana e UEFA-s, për shkak të përdorimit nga ana e tij të substancave dopinguese të ndaluara. Kjo është përshtypja e përgjithshme për lojën e tij mbas tri ndeshjeve, një me përfaqësuesen e Maqedonisë dhe dy me Dinamon e Zagrebit, me të cilën luan Ademi. Megjithëse, në ndeshjen derbi të fundjavës së kaluar mes Hajdukut të Splitit dhe Dinamos së Zagrebit, ai hyri në fushë në pjesën e dytë në stadiumin “Poljud”, Arian Ademi u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Ai u konsiderua njëzëri nga mediumet kroatë si njeriu që e ndryshoi, në një masë të konsiderueshme, lojën e Dinamos, duke asistuar në rastin e golit të dytë.
“Ademi, përfundimisht, është një përforcim i madh për Dinamon. Atë që duhet të bënte Doumbia, e bëri Ademi. Ishte Ademi që ia ‘vodhi’ topin Tudorit dhe dha pasin për golin e dytë. Duket si e pabesueshme, por Ademi është bërë më i mirë sesa ka qenë para pezullimit. Ai ishte lojtari më i mirë i derbit”, shkruante media kroate.
Kurse vetë Arian Ademi deklaroi mbas ndeshjes: “Gjynah që ne nuk fituam, duke pësuar penallti në sekondat e fundit të ndeshjes. Në pjesën e dytë, ne u treguam më agresivë, jo sepse hyra unë në fushë, por sepse kështu erdhi loja”, tha ai.
Sfidanti.al