Anglia thyen “mallkimin” suedez, Kosovare Asllani kthehet në shtëpi!

Natyrisht që do të vinte një ditë që drejtimin rrjedhës do të ndryshonte. E pamundur që një ekip të fitojë gjithmonë dhe tjetri vetëm të humbasë. Edhe Anglia e kaloi “mallkimin nordik” dhe Suedia u detyrua të përkulej përballë një fuqie më të madhe. Flasim për gjysmëfinalen e Kampionatit Europian në futboll për femra të fituar 4-0 nga “luaneshat” në stadiumin “Bramall Lejn” të Shefildit, të mbushur plot e përplot me tifozë. Bet Mid (34’), Lusia Bronz (48’), Alesia Ruso (68’) dhe Fran Kirbi ishin autoret e golave për anglezet që arritën finalen duke e kapërcyer më në fund Suedinë. Me këtë humbje, kthehet në shtëpi edhe Kosovare Asllani, që ishte kapitene e ekipit të saj kombëtar dhe njëra nga lojtaret më të dalluara të Europianit. Anglia ishte disi favorite, veçse Suedia cilësohej si skuadra më “skuadër” nga ato që ishin në gjysmëfinale. Gjithsesi, për momentin lavdia ka kaluar në krahun tjetër.

Sfidanti.al