Shahistja më e mirë e Shqipërisë, Bruna Tuzi, lihet jashtë kombëtares për në Olimpiadë!

Imagjinoni sikur Argjentina t’i thoshte “jo” Lionel Mesit. Pra, sikur ylli më i mirë të lihej jashtë ekipit përfaqësues vetëm sepse nuk merr pjesë në kampionatin kombëtar. Kjo gjë ka ndodhur në Shqipëri dhe konkretisht me ekipin kombëtar të shahut për femra. Skuadrat kuqezi, për djem e për vajza, janë nisur për në Indi ku nesër do të nisë Olimpiada Botërore, ngjarja më e rëndësishme e këtij sporti, por tek femrat nuk është përfshirë shahistja numër 1 e Shqipërisë, Bruna Tuzi. Kjo, edhe pse ajo konkurron në turnetë në Gjermani ku është vendosur prej disa vitesh, duke arritur edhe suksese të rëndësishme si nënkampione e Gjermanisë në kampionatin kombëtar të landeve, apo edhe fitore të tjera. Vetë Bruna thotë se arsyeja ishte që nuk mori pjesë në kampionatin kombëtar në Shqipëri, diçka që ajo nuk mund ta bënte për arsye pune.

Tuzi ka koeficientin më të lartë standard ndër shahistet tona 2027, ndërsa e dyta rendiet Eglantina Shabanaj me koeficientin ELO 1940. Ish-trajneri i saj, Shkëlqim Çela, gjithashtu trajneri i kampiones së vendit, Klean Shuqja, shprehet i indinjuar. Në rregulloren e Federatës, neni 19, pika 4.3, ku përcaktohet ekipi kombëtar, shkruhet se Komiteti Drejtues i Federatës, me sugjerim të trajnerit, ka të drejtë të japë vendim për përfshirjen në ekip të shahistëve që jetojnë jashtë dhe që kanë rezultate më të mira apo perspektivë më të mirë sesa lojtarët aktualë të kampionatit kombëtar.

Sfidanti.al