Allegri shpërthen në kritika ndaj lojtarëve në dhomat e zhveshjes

Juventusi fitoi një ndeshje të rëndësishme në kampionat, duke mundur Fiorentinën të dielën në darkë. Por për Maks Alegrin, suksesi 1-0 i skuadrës së tij nuk ishte i mjaftueshëm, sidomos për faktin se miqtë iu afruan barazimit në pjesën e dytë të ndeshjes. “La Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, në vend që të përgëzonte lojtarët e tij që i dhanë fund serisë së ndeshjeve pa humbje, Alegri ka shpërthyer në kritika kundër ekipit në dhomat e zhveshjeve. Një situatë që është përsëritur shpesh kohët e fundit dhe që shpesh ka prodhuar momente tensioni te bardhezinjtë. Alegri e ka përdorur këtë si një mënyrë për të mbajtur të motivuar ekipin edhe pse fitoi, duke i kujtuar se objektivi minimal i sigurimit të Ligës së Kampioneve nuk ishte arritur ende, ndaj nuk duhej të kishin më luhatje të tilla si në ndeshjen e të dielës, ku në një moment u duk sikur fitorja mund t’u ikte nga duart. Bardhezinjtë kanë çuar përsëri në katër pikë diferencën nga Bolonja e vendit të katërt, ndërsa kanë 7 nga Roma që mban vendin e pestë, i cili në sezonin tjetër mund të shkojë gjithashtu në Ligën e Kampioneve.

sfidanti.al