Kumbulla titullar i merr pikë Juves, Ronaldo-Veretu, duel dygolësh!

Në fund, prova për trajnerin e Romës, Fonseka, ishte pozitive, ndërsa tekniku i kampionëve, Pirlo, mund të ndihet i kënaqur që mori një pikë. Ky përfundimi në stadiumin “Olimpiko” të kryeqytetit italian, ku Roma luajti më mirë sesa Juventusi, por gaboi pikërisht kur ishte në epërsi numerike dhe të rezultatit. S’ke ç’i bën, mungesa e përvojës i ka këto gjëra, ndërsa skuadra e Pirlos të paktën tregoi se e ka karakterin dhe forcën e reagimit, edhe pse jo lojën që pritet prej saj.

Marash Kumbulla fitoi një sfidë të rëndësishme, duke u përzgjedhur menjëherë si titullar nga Fonseka, vetëm në ndeshjen e dytë që ndodhet në radhët e skuadrës. Aspak gjë e vogël për shqiptarin 20-vjeçar që u cilësua i domosdoshëm në një mbrojtje me tre. Nga lojtarët e tjerë spikat dueli i golit mes Zhordan Veretusë (Veretout) të vendasve, dhe Kristiano Ronaldos, që shënuan që të dy nga dy gola. Mesfushori 27-vjeçar realizoi së pari me penallti, pastaj përfundoi një kundërsulm mjeshtëror në fund të pjesës së parë.

Ronaldo gjithashtu shënoi golin e parë me penallti, ndërsa të dytin në 69’ e realizoi sikur të hidhej nga aeroplani, kaq shumë kërceu me kokë për krosimin e Danilos. Në rolin e qendërsulmuesit, CR7-ta po e tregon veten një golshënues të madh, ndonëse nuk ka asnjë detyrë tjetër te kjo Juve ku duhet të vrapojnë të tjerët. Në 62’, kampionët mbetën me 10 lojtarë pasi Adrien Rabio u përjashtua me të kuqe, por ekipi reagoi. Sidoqoftë, shqetësimi është i madh sepse loja nuk ishet aspak e mirë. Të verdhë mori edhe Kumbulla, në pjesën e parë, për ndërhyrje ndaj Kulushevskit.

Sfidanti.al