Dikur “lindi” Mesi, sot Barcelonës i ka “lindur” Ansu Fati!

Vite më parë, trajneri i shquar i volejbollit shqiptar, Vangjel Koja, thoshte se “talent është ai lojtar apo ajo lojtar që hyn në ekip 16 vjeç e nuk del më prej tij”. “Xhela” jepte shembullin e Agim Fagut apo Ela Tases, ndërsa tek Barcelona shembulli i para 15 viteve ishte Lionel Mesi, ndërsa ai i sotmi e ka emrin Ansu Fati. Depërtoi në ekipin katalanas 15-16 vjeç dhe sot, 17 vjeç, është titullar i padiskutueshëm. Sulmuesi i ri ishte autor i dy golave për katalanasit në fitoren domethënëse 4-0 ndaj Vijarrealit në “Kamp Nou”.

Një fillim i tillë i La Ligës nga katalanasit ishte i papritur, për vetë krizën e rëndë të brendshme që po kalon klubi, por ja që yjet në fushë janë të tillë që dinë të ndajnë sherrin nga detyra. Trajneri Ronald Kuman luajti, siç mendohej, me skemën 4-2-3-1, duke pasur në fushë Busketsin, Pikenë, Zhordi Albën, Mesin, De Jongun, Kutinjon, Grizmanin apo Ansu Fatiun. Pas pushimit hynë edhe Dembele, Pedri, Trinkao, Pjaniç. Fati shënoi dy golat e parë, Mesi realizoi me penallti dhe Torres shkaktoi autogol pas krosimit të Mesit në fund të pjesës së parë.

Pas pushimit, katalanasit u përpoqën, por nuk ishte nevoja të rrezikonin shumë. Ndeshje shumë e mirë e Kutinjos, dhe po ashtu Barcelona duket se tani e ka një trajner që di të përçojë idetë e veta, pavarësisht nga kritikat që ka marrë për rastin “Suarez”. A thua kaq shpejt, katalanasit u ngritën në këmbë dhe do ta konkurrojnë Realin për titullin? Besohet që po.

Sfidanti.al