Ka qenë portier i Liverpulit për vite me radhë, plot 9 sezone, ka qenë dy vjet tek Barcelona, tek Vijarreali, dy herë tek Napoli, me Bajernin e me Milanin. Askush tek Lacio nuk ka përvojën e Pepe Reinës kur vjen puna për Championsin, dhe skuadra italiane ka shumë nevojë për një eksperiencë të tillë, ndërsa hyn në kompeticionin kryesor europian. Drejtori sportiv, Igli Tare, e thekson fare qartë këtë gjë, ndonëse duket se trajneri Inzagi e mori Reinën për t’i bërë konkurrencë Tomas Strakoshës. “Për shumë vjet, Pepe ka qenë kundërshtar për ne, – tha Tare, – tashmë, më në fund, rrugët tona u bashkuan. Do të na sjellë përvojë të madhe ndërkombëtare, dhe jemi të kënaqur që e kemi me ne”. Edhe pse në moshën 38-vjeçare, Reina mbetet konkurrues dhe shpreson të luajë edhe në Serinë A. Inzagi shpreson që spanjolli të ndikojë tek Strakosha që është shumë i mirë, por që ndonjëherë gabon. Vetë Reina nuk flet për rivalitet. “Këtë situatë e pata edhe me Donarumën (tek Milani), – thotë ai, – (Strakosha) është rritur shumë dhe unë do ta ndihmoj që të piqet edhe më shumë. Tomasi është shumë i rëndësishëm për klubin, ka shumë vite tek Lacio”.
Sfidanti.al