Liga e Futbollit e respekton Fidel Yllin, por si negociator do kryeministrin Rama!

Superliga pritej të niste sot, por bojkoti duket se do të vazhdojë deri në 21 shtator të paktën. Liga Profesioniste e Futbollit shqyrtoi ofertën e qeverisë për bisedime lidhur me 4 kërkesat e saj, për të cilat u bë bojkotimi i nisjes së Superligës, dhe sipas asaj që deklaroi pas mbledhjes, vendosi në mënyrë unanime. Presidenti i Apolonisë së Fierit, Koço Kokëdhima, e shprehu këtë qendrim. “Nuk kthehemi në fushë pa u plotësuar kërkesat që janë minimaliste, – tha ai, – i kanë vendet e rajonit, pra duam atë që është normale”.

Gjithsesi, Kokëdhima vlerësoi gatishmërinë e qeverisë për të biseduar, edhe pse theksoi një kërkesë. “Kemi krijuar grupin negociator të përbërë nga Halili, Demi dhe Kokëdhima, respektojmë Fidel Yllin, por duam të bisedojmë me qeverinë dhe kryeministrin, që mund të vendosin dhe të mbajnë përgjegjësi për premtimet”, – ishin fjalët e tij.

Kokëdhima pati një përgjigje për komentin e fundit të kryeministrit Rama ndaj presidentëve të futbollit. “Ne nuk jemi skllavopronarë, nuk kemi skllavëruar askënd, nuk i kemi hequr lirinë askujt, por jemi ne të skllavëruarit, pasi po mbajmë gjallë futbollin”, – tha presidenti fierak.

Kërkesat e Ligës së Futbollit për qeverinë janë miratimi i një ligji për sponsorizimet sipas propozimit të klubeve, përfshirjen e çdo aktiviteti ekonomik të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6 për qind, anulimin e gjobave e kamatëvonesave për detyrimet fiskale të prapambetura, dhe përjashtimin nga tatimi të të ardhurave të futbollistëve me 10 vjet, jo me 2 vjet sipas vendimit të qeverisë.

Sfidanti.al