Dy ditë përpara startit të Kategorisë Superiore duket se skuadrat e kanë me përtesë të dalin në fushë për një kampionat që gjithsesi do të vendoset në dy apo tre ndeshjet e fundit. Vallë ku mund ta gjejë energjinë Egnatia për t’ia nisur sërish nga e para kur e di shumë mirë që vendimtare do të jenë 180 minutat finale të majit 2026. Për çfarë do t’i shërbente sakrifica Partizanit të humbiste energji që në fillim, po Dinamos ende në garën europiane? Sezon i ri me halle të vjetra dhe pas çdo viti që kalon, aq më të bindur janë në teorinë e tyre drejtuesit e FSHF-së se kjo është formula që po e shpëton dhe nuk po e zhyt futbollin në vend.
Nëse nga shpirti i garës kishte ngelur sadopak vitet e kaluara, e sigurt është që kjo formulë i ka shtuar substancën që lojën e ka vendosur në gjumë të thellë ndërsa klubet në prag falimentimi.
Kush shpenzon nga halli e dikush tjetër për t’u dukur por në fund, rezultati është i njëjtë…në Shqipëri hyjnë e dalin të gjithë, ai që humbet është futbolli, fortesa e fundit e sportit dinjitoz që duam të bëjmë.
Nga Pirro Bardhyli